20.06.2025
Në këtë episod të serisë “Etika në Arsim”, zhvilluam një bisedë të hapur dhe reflektuese me z. Plaurat Krasniqi, Kryetarin e Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës. Si përfaqësues i zërit të studentëve në institucionin më të madh arsimor në vend, ai ndau përvojat, sfidat dhe përgjegjësitë që lidhen me përfaqësimin studentor, duke vendosur në fokus çështje kyçe si transparenca, pjesëmarrja aktive, barazia në mundësi dhe ndërtimi i një kulture etike në jetën universitare.
Gjatë këtij episodi, trajtuam çështje të ndjeshme që prekin drejtpërdrejt jetën e studentëve, nga përballja me burokracinë institucionale, deri te mënyra si studentët mund të ndikojnë pozitivisht në mjedisin e tyre akademik. U diskutua edhe roli i Parlamentit Studentor si urë lidhëse midis studentëve dhe strukturave drejtuese të universitetit, si dhe nevoja për fuqizimin e kapaciteteve përfaqësuese dhe kultivimin e lidershipit me integritet.
Z. Krasniqi theksoi se përfaqësimi nuk duhet të shihet si pozicion formal, por si mision për të ngritur zërin e studentit, për të mbrojtur të drejtat e tij dhe për të nxitur një frymë bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe ndershmërie brenda komunitetit akademik.
Ky episod është pjesë e përpjekjes sonë për të sjellë në vëmendje modele të angazhimit qytetar dhe etik në mjediset universitare. Përmes këtij formati, Klubi i Etikës synon të krijojë hapësira reale dialogu, të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat që përballon rinia akademike dhe të promovojë një arsim të përqendruar jo vetëm në dije, por edhe në vlera.