“Programi për Integritet dhe Promovim të Etikës Akademike në Universitet” është një iniciativë që synon të nxisë ndërtimin e një kulture të qëndrueshme të integritetit brenda institucioneve të arsimit të lartë, përmes përfshirjes aktive të studentëve në aktivitete edukative, reflektuese dhe ndërvepruese.
Në kuadër të këtij projekti janë zhvilluar disa aktivitete kyçe që kontribuojnë në vetëdijesimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të studentëve të Universitetit të Prishtinës, me fokus të veçantë në etikën akademike, përfaqësimin e përgjegjshëm dhe zhvillimin e shkathtësive personale dhe profesionale.
🔹 Punëtoria dyditore në Rugovë (6–7 Prill) përfshiu trajnime praktike mbi përgatitjen e CV-së dhe letrës motivuese, si dhe simulime mbi rastet etike në arsim, ku studentët punuan në grupe për të përfaqësuar role të ndryshme (Këshilli i Etikës, profesorë, studentë të përjashtuar) për të analizuar dhe zgjidhur dilema etike.
🔹 Në ditën e dytë të punëtorisë, pjesëmarrësit u trajnuan mbi teknikat e hartimit të një projekt-propozimi, menaxhimin e buxhetit dhe formatin e aplikimeve për grante apo iniciativat studentore, duke i përgatitur ata për një angazhim më të fuqishëm në jetën akademike dhe shoqërore.
🔹 Eventi përmbyllës i projektit shërbeu si një hapësirë reflektimi dhe prezantimi të arritjeve. Studentët diskutuan për përvojat e tyre gjatë gjithë projektit, u shfaq një video përmbledhëse me pamje nga aktivitetet, dhe u ndanë çertifikata për pjesëmarrje.
🔹 Brenda projektit janë realizuar edhe podcaste tematike me aktorë kyç të universitetit, si:
– ish-rektori i UP-së, Prof. Dr. Qerim Qerimi,
– ish-kryetarja e Parlamentit Studentor, znj. Blerta Zeqiraj,
– si dhe asistentja universitare Blerta Dibrani, e cila ka sjellë për herë të parë formatin e podcastit në UP në bashkëpunim me studentët e Departamentit të Gazetarisë.
Këto biseda ofrojnë perspektiva të vlefshme mbi etikën akademike, sfidat e përfaqësimit dhe fuqinë e komunikimit bashkëkohor në arsim.
Ky projekt është një shembull i mirë i bashkëpunimit mes stafit akademik, studentëve dhe organizatave partnere, duke dëshmuar se edukimi mbi etikën nuk është vetëm teori, por një proces aktiv, i përbashkët dhe i domosdoshëm për një universitet me integritet.
Projekti mbështetet nga Agjencia Austriake për Bashkëpunim (ADC) përmes skemës së granteve të vogla të projektit HEI25, i cili është i menaxhuar nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).