Projekti “STEP UP” është një iniciativë studentore e Klubit të Etikës pranë Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili ka për synim socializimin e studentëve përmes aktiviteteve rekreative dhe argëtuese, duke krijuar një mjedis bashkëpunues ku shkëmbehen ide dhe nxisen iniciativa të reja.
Ky projekt përfshin një varg aktivitetesh gjithëpërfshirëse të zhvilluara në periudhën maj–qershor 2023, të cilat synojnë të forcojnë lidhjen ndërstudentore, të ofrojnë hapësira reflektimi për temat që i preokupojnë studentët gjatë viteve të studimeve, dhe të rrisin ndjenjën e përkatësisë universitare.
Disa nga aktivitetet kryesore të realizuara janë:
✅ Takimi i parë i grupit punues, ku u diskutuan planet për realizimin e projektit dhe metodologjia e zbatimit.
✅ “Piknik me studentët” në fshatin Shalë, me aktivitete në natyrë, lojëra, prezantim të projektit dhe punë në grup.
✅ Vizitë studimore në Tiranë, me tryezë diskutimi dhe bashkëpunim me studentët dhe stafin e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, si dhe vizita në institucionet shqiptare.
✅ Nata e Lojërave 1 dhe 2, ku studentët garuan në lojëra të ndryshme si Jenga, Uno, shah, ping-pong, dhe Trivia Night me pyetje juridike e të përgjithshme.
✅ Ekspozita “Unë dhe profesori”, një ekspozitë artistike që solli përmes pikturës marrëdhënien mes studentëve dhe stafit akademik.
✅ Takime dhe bashkëbisedime në kampus dhe parkun e qytetit, ku studentët diskutuan mbi aktivizmin rinor, problematikat e jetës studentore dhe idetë për projekte të ardhshme.
Projektit i janë bashkuar mbi 250 studentë përfitues direkt dhe ka ndikuar në mënyrë të tërthortë te qindra të tjerë përmes përmbajtjes së publikuar në rrjete sociale, duke përforcuar mesazhin se aktivitetet jashtë kurrikulës janë esenciale për zhvillimin personal, akademik dhe shoqëror të studentëve.
🟨 Projekti është mbështetur nga Agjencia Austriake për Bashkëpunim (ADC) përmes skemës së granteve të vogla të projektit HEI25, dhe është i menaxhuar nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).