Seria “Etika në Arsim” është një projekt i Klubit të Etikës që synon të sjellë në qendër të vëmendjes temat që lidhen me vlerat, integritetin personal dhe institucional, përgjegjësinë akademike dhe ndërgjegjësimin etik në sistemin arsimor të Kosovës. Duke u nisur nga bindja se arsimi nuk është vetëm proces transferimi dijeje, por edhe formësim karakteri dhe ndërtim kulture qytetare, kjo seri përpiqet të hapë hapësira të mirëfillta për reflektim, debat dhe përfshirje të drejtpërdrejtë të komunitetit universitar.
Përmes intervistave dhe bisedave me profesorë të njohur, studentë aktivë, studiues të rinj dhe drejtues institucionalë, “Etika në Arsim” ndriçon dilemat dhe sfidat me të cilat përballen aktorët arsimorë në përditshmëri – nga kopjimi në provime e deri te mungesa e transparencës në vendimmarrje.
Kjo seri është menduar si një platformë e hapur dhe e vazhdueshme për të nxitur reflektim kritik, për të promovuar kultura të ndershmërisë dhe për të forcuar lidhjen midis edukimit dhe etikës si shtylla themelore të shoqërisë demokratike.